Investimi në pasuri të paluajtshme është një sipërmarrje emocionuese, por njohja e ligjeve mbi këtë proces është vendimtar, veçanërisht kur prona që blihet është në një vend të huaj. Supozoni se jeni duke blerë një pronë në Shqipëri, nuk ka rëndësi nëse jeni duke kërkuar për një apartament, një vilë në bregdet apo një pronë në fshat, në çdo rast e rëndësishme është që të dini procedurat ligjore në fuqi. Për këtë arsye, në këtë shkrim, do të bëjmë një përmbledhje të kuadrit ligjor për të siguruar një blerje të pronës pa probleme në Shqipëri.
E drejtë kushtetuese
E drejta e pronës si një nga të drejtat dhe liritë themelore të njeriut ka një rregullim të gjerë në sistemin ligjor të Shqipërisë, duke gëzuar një mbrojtje të nivelit kushtetues. Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë e drejta e pronës është një e drejtë e garantuar, duke ofruar kështu një mbrojtje të pronës në të gjithë elementët e saj.
Kush mund të blejë prona në Shqipëri?
Të drejtën për të blerë prona të paluajtshme në Shqipëri e gëzon çdo person i cili ka zotësi juridike për të vepruar pavarësisht shtetësisë së tij. Madje, investimi i bërë nga të huajt trajtohet me të njëjtat kushtet si investimet vendase, duke pasur trajtim të barabartë e të paanshëm, mbrojtje e siguri të plotë. Nga ky rregull bën përjashtim vetëm toka bujqësore, të cilën të huajt mund ta marrin vetëm me qera për 99 vjet.
Forma e kontratave
Veprimet juridike për kalimin e pronësisë së sendeve të paluajtshme dhe të të drejtave reale mbi to, janë veprime në të cilat ligji kërkon një formë të caktuar të shfaqjes së vullnetit, njohur ndryshe me termin veprime juridike formale (ad solemnitatem). Në Kodin Civil është përcaktuar që këto veprime të realizohen nëpërmjet një akti noterial, duke parashikuar si pasojë, në rast mosrespektimi, pavlefshmërinë e veprimit juridik. Po ashtu, veprimet në lidhje me pasuritë e paluajtshme janë veprime konsensuale të cilat kanë fuqi të plotë juridike nga momenti i ndërthurjes së vullneteve të palëve kontraktore.
Regjistrimi
Çdo veprim juridik që ndryshon statusin e pasurisë së paluajtshme, sipas legjislacionit në fuqi, duhet të regjistrohen në regjistrin e pasurive të paluajtshme pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, në Drejtorinë Vendore përkatëse. Regjistrimi i veprimit juridik në regjistrat e pasurive është një hap i rëndësishëm që të tretët të njihen me statusin e pronës.
Taksat dhe tarifat
Kur blini prona në Shqipëri, duhet të keni parasysh taksat dhe tarifat. Këto përfshijnë tarifat e noterit për çdo veprim juridik të realizuar para tij dhe tarifat e regjistrimit të pronësisë në ASHK. Është gjithashtu e rëndësishme të merren parasysh taksat vjetore të pronës, të cilat ndryshojnë në varësi të vendndodhjes dhe vlerës së pronës.
Kuptimi i tregut
Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri po rritet, por është ende në zhvillim. Për këtë arsye duhet të kihet parasysh që vlera e pasurive të paluajtshme varet nga lloji dhe vendndodhja e pronës.
Mbrojtja e investimit tuaj
Sipas parashikimeve ligjore në fuqi, Sipërmarrësi/Ndërtuesi i pasurisë së paluajtshme bën sigurimin e pronës (policë sigurimi) me afat vlefshmërie 10 vjet nga data e përfundimit të punimeve. Kjo policë mbulon dëmet e ndërtesës, përfshirë dëmet ndaj të tretëve, që rrjedhin për shkak të tokës ose për defekt të ndërtimit, në rastet kur ndërtimi shembet tërësisht ose pjesërisht, ose paraqet rrezik të dukshëm shembjeje ose defekte të tjera të rënda. Pas përfundimit të këtij afati, është e rëndësishme që ju të vijoni të mbroni investimin tuaj. Kjo përfshin sigurimin e pronës si dhe mirëmbajtjen e rregullt të saj, si çelësi për të ruajtur vlerën dhe gjendjen e shtëpisë tuaj të re.
Blerja e pronës në Shqipëri mund të jetë një investim i shkëlqyer dhe të kuptuarit e aspekteve ligjore të blerjes është thelbësor për të siguruar një transaksion pa probleme. Duke punuar me profesionistë që kanë përvojë në ndërmjetësimin e pasurive të paluajtshme, ju mund të nisni procesin e blerjes me besim dhe të siguroni pronën që keni ëndërruar në Shqipëri.
Leave A Comment