Balfin Real Estate për herë të dytë u bë pjesë e International Property Show 2025 në Dubai, eventit prestigjioz, i cili bashkon emrat kryesorë të tregut global në fushën e pasurive të paluajtshme, duke ardhur si një mundësi e jashtëzakonshme për BRE, në shfaqjen e qasjes së saj inovative ndaj zhvillimeve dhe projekteve vizionare turistike.
Tre ditët e International Property Show 2025, shërbyen si një platformë në njohjen e këtij vizioni, krijimin e marrëdhënieve dhe partneriteteve me palë të interesuara, në ndarjen e njohurive si dhe në eksplorimin e mundësive të reja drejt zgjerimit më të gjerë ndërkombëtarisht.
Ky event nuk ishte vetëm një hapësirë për prezantimin e projekteve real estate por edhe një platformë shumë e mirë në njohjen dhe zbulimin e Shqipërisë në një tjetër dimension.
Me fokus promovimin e vendit si një destinacion i jashtëzakonshëm në zemër të Mesdheut, Balfin Real Estate solli para pjesmarrësve Shqipërinë, ende të pa eksploruar dhe që pret të zbulohet përmes njohjes së natyrës, kulinarisë, historisë dhe kulturës që e diferencon.
“Time to invest in Albania, time to invest with Balfin” ishte tema e prezantimit me të cilën BRE tërhoqi vëmendjen në panair, ku u vu re një rritje e shtuar e interesit.
Gjatë fjalës së saj, CEO e Balfin Real Estate, Ledia Telhai, theksoi mundësitë pafundme për të investuar në Shqipëri dhe në projekte të standardeve ndërkombëtare si Green Coast, Vlora Marina apo Next to Vala Mar Premium. Projekte që ofrojnë më të mirën e bregdetit shqiptar dhe që konkurrojnë denjësisht në tregun ndërkombëtar të real estate.
Këtë vit, International Property Show 2025, regjistroi mbi 16,000 vizitorë dhe 130 kompani pjesëmarrëse nga e gjithë bota. Balfin Real Estate u prezantua me portofolin e projekteve turistike në zonat bregdetare, ato ekzistuese dhe projektet e reja që priten t’i shtohen këtij portofoli, ku mbi 1000 pjesëmarrës vizituan stendën e BRE.
Gjatë panairit, në forumet e dedikuara, u diskutuan tema të ndryshme si “Trendet Globale të Real Estate”, “Strategjitë e Investimit dhe Qëndrueshmëria”, “Masat për të Ndërtuar Infrastrukturën me Standarde Globale”, “Tregjet Botërore dhe Investimet Përtej Kufijve”, etj.
International Property Show, është një panair i cili organizohet prej 20 vitesh, me pjesëmarrës nga Spanja, Portugalia, Qipro, Turqia, Mali i Zi, Majemi, Bali, Zanzibar, Gjeorgjia, Anglia, etj. Ky event ju krijon hapësira kompanive pjesëmarrëse dhe vizitorëve që të eksplorojnë mundësi të reja në tregun e real estate.